Welcome
Mirësevini në “JuSTForumAlbania” përmes të cilit do të mund të bashkëbisedoni me Programin e USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) posaçërisht në lidhje me angazhimin e ndërmarrë në ndihmë të forcimit të rolit të shoqërisë civile për rritjen e transparencës, efektshmërisë dhe përgjegjshmërisë së drejtësisë shqiptare në veçanti, si dhe të luftës ndaj korrupsionit dhe mirëqeverisjes në vend në përgjithësi.

Letër e Hapur për Organizatat e Shoqërisë Civile në Shqipëri

Kjo kategori do të adresojë çështje që lidhen me skemat e Granteve të JuST duke synuar grupin OSHC-ve të përzgjedhura. Diskutimet mes anëtarëve të OSHC-ve mund të përqendrohen tek qëllimi i granteve, afatet kohore apo tek kufizimet administrative e financiare. Programi JuST dëshiron ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ofruar shërbime "on line" për të ndihmuar në dhënien e shpjegimeve që lidhen me njoftimet dhe udhëzimet për Grantet, për të mundësuar partneritetin mes OSHC-ve në përgatitjen e propozimeve për grante dhe në zbatimin e tyre, si dhe për të ofruar mundësinë e ndarjes së informacionit dhe përvojës përkatëse.

Moderator: JuST Moderator

Letër e Hapur për Organizatat e Shoqërisë Civile në Shqipëri

Postby JuST Moderator » 14 Oct 2011 18:43

Të dashur miq,

Siç e dini, sapo kemi përfunduar ciklin e parë të programit të granteve, “Koalicione për Drejtësinë”. Edhe pse kemi marrë aplikime nga 17 koalicione, duhet të them se rezultatet kanë qenë zhgënjyese.

Ajo çka prisnim të shihnim, ishte përcaktuar qartë në Deklaratën e Programit Vjetor, parathënia e të cilës ishte, si më poshtë:

Projekti për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST), i financuar nga USAID-i, fton organizatat shqiptare të shoqërisë civile (OSHC-të) ose koalicionet e përbëra nga këto organizata të paraqesin aplikime për të zbatuar projekte novatore, që synojnë të promovojnë luftën kundër korrupsionit, transparencën në sistemin e drejtësisë, si dhe mirëqeverisjen në Shqipëri. OSHC-të dhe koalicionet që munden të trajtojnë çështjet e korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe institucionet shtetërore që përkrahin transparencën, paanshmërinë dhe efektshmërinë në gjykata, dhe që mobilizojnë komunitetin drejt frenimit të korrupsionit, janë të mirëpritur që të aplikojnë. Koalicionet duhet të nxisin bashkëpunimin ndërmjet organizatave vullnetare, të inkurajojnë pjesëmarrjen në zbatimin e reformave në drejtësi, dhe të forcojnë pjesëmarrjen qytetare për të frenuar korrupsionin dhe promovuar mirëqeverisjen.

Pjesa më e madhe e aplikime që morëm nuk i adresonte objektivat e programit të granteve. Për këtë arsye, po ju shkruaj të gjithëve për të ndarë së bashku mësimet kryesore që mund të nxjerrim të gjithë nga ky cikël, e që t’i vëmë këto në zbatim gjatë cikleve të ardhshëm.

Jam takuar me disa prej jush në aktivitetin e prezantimit të projektit tonë, në datën 21 dhjetor 2010, dhe disa të tjerë më pas, në një takim që organizuam në zyrat e JuST-it në fillim të projektit. Në të dyja rastet, më bëri përshtypje analiza juaj e hollësishme e asaj që nuk shkon si duhet në institucionet shqiptare, si dhe diskutimet e gjalla mbi sfidat në sektorin e shtetit të së drejtës. Çka është edhe më e rëndësishme, më la përshtypje pasioni juaj për të ndryshuar gjërat dhe për nxitur realizimin e reformave të vërteta. Fatkeqësisht, nuk e pashë këtë kreativitet, pasion e strategji për mobilizimin e komunitetit në propozimet tuaja, dhe nuk gjeta aty as ide të thjeshta për të angazhuar drejtuesit e institucioneve në emër të komunitetit dhe për të përkrahur e mbështetur ndryshimet aq të nevojshme drejt shtetit ligjor dhe mirëqeverisjes.

Duke menduar për të ardhmen e organizatave tuaja, ndoshta do të kishit interes të reflektonit mbi mësimet e mëposhtme, të cilat dolën në pah gjatë ciklit të parë të programit të granteve:

• Ndërsa programi JuST ka për qëllim të mbështesë sistemin e drejtësisë në përgjithësi, programi i tij i granteve është konceptuar në mënyrë të tillë që të mbështesë organizatat që nxisin luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës në sistemin e drejtësisë dhe mirëqeverisjen në Shqipëri. Në fakt, të gjitha aplikimet që morëm prej jush, synonin sistemin gjyqësor dhe asnjë prej tyre nuk trajtonte institucionet e tjera shtetërore. Dëshirojmë të përsërisim edhe njëherë se programi i granteve i projektit JuST në të ardhmen do të mbështesë ato OSHC që janë aktive në çështjet që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe mirëqeverisjen, e që nuk kufizohen vetëm tek gjyqësori.

• Ne prisnim të merrnim propozime që sugjeronin për mënyra të reja të rritjes së presionit publik mbi institucionet publike ose për ekspozimin e rasteve të korrupsionit. Megjithatë, shumica e aplikantëve kanë kërkuar fonde për të realizuar studime ose raporte monitorimi mbi disa prej aspekteve të procedurave që ndiqen në gjykatat shqiptare, si p.sh, vonesat në gjykim, apo efiçenca dhe menaxhimi i kohës. Ne të gjithë e dimë se janë hartuar tashmë raporte të mjaftueshme nga organizatat vendase apo ndërkombëtare, që tregojnë se sistemi gjyqësor shqiptar vuan nga mungesa e transparencës, efektshmërisë dhe nga korrupsioni i galopant. Pas shqyrtimint të granteve, nuk ishim të bindur se grantet do kishin pasur një impakt të dukshëm, nëse do të financonim studime të mëtejshme në fusha që janë studiuar dhe analizuar edhe më parë.

• Gjithashtu, vumë re se disa prej propozimeve ngjasonin me një Përshkrim Pune të një shërbimi konsulence, sesa me aktivitete të zbatuara nga organizatat e shoqërisë civile. Ne jemi të hapur të punojmë me institute studimore (think tanks) dhe qendra mbledhëse informacioni (knowledge clearinghouses) në sektorin e shoqërisë civile. Megjithatë, do të dëshironim të shihnim më shumë propozime që, përveç mbledhjes së bashku të një grupi ekspertësh të njohur për punët e tyre studimore, të identifikonin edhe mënyra të angazhimit të qytetarëve në këto fushata avokimi drejt ndryshimit. Disa nga OSHC-të kanë kërkuar edhe fonde për konsulenca të një niveli të lartë, që çdokush do t’i mendonte si punë që realizohen vetëm në nivel qeveritar. Edhe pse qëllimi përfundimtar i programit të granteve është të promovohet mobilizimi i qytetarëve për të kërkuar një qeverisje më të mirë, USAID-i nuk është i interesuar të financojë OJF-të për të kryer aktivitete që në fakt janë përgjegjësi themelore e qeverisë. Nuk do të ishte maturi, nëse donatori do të kishte si perspektivë dhënien e granteve një OSHC-je për të njëjtën punë që mund ta kryente mjaft mirë një konsulent, kundrejt një shpërblimi shumë herë më të vogël sesa vlera që kërkohet nga koalicionet e OSHC-ve.

• Mungesa e bashkëpunimit dhe konkurrencës ndërmjet OSHC-ve shqiptare identifikohet shpesh nga donatorët e huaj, si një nga arsyet e fragmentarizmit dhe ndikimit të vogël të sektorit të OSHC-ve në Shqipëri. Kjo është edhe arsyeja pse kemi vendosur kriterin që dy ose më shumë OSHC të formojnë koalicione, duke shpresuar që organizatat e vjetra e të reja, të vogla e të mëdha, në mbarë vendin, të bashkojnë përpjekjet e tyre, duke rritur kështu në maksimum impaktin dhe dobishmërinë e programit të granteve. Por, në vend të kësaj, propozimet që morëm vinin nga koalicione të përbëra prej dy OSHC-sh të konsoliduara dhe të respektuara, me një histori të gjatë në përfitimin e granteve dhe burimeve të tjera të nevojshme në dispozicion të tyre. Gjithashtu, ishte e dukshme që partnerët në koalicion nuk kishin punuar së bashku në hartimin e përmbledhjes konceptuale. Ishte e qartë edhe nga trajnimi për ngritjen e kapaciteteve, që iu ofrua OSHC-ve pas dorëzimit të aplikimeve të tyre, se disa prej përfaqësuesve të OSHC-ve as nuk i njihnin partnerët përkatës në koalicion, për të mos folur për detajet e projektit.

Vetëkuptohet që, për arsyet e përmendura më lart, impakti i këtij cikli të parë grantesh do të jetë i kufizuar. Megjithatë, ne do të mbetemi të angazhuar që të punojmë me ju në mbështetjen e objektivave kryesore të programit të granteve të vogla. Deklarata aktuale e Programit Vjetor mbetet e hapur për gjashtë muaj. Gjithashtu, ne kemi qëllim që të shpallim edhe Kërkesa për Aplikime lidhur me aktivitete specifike, të cilat do të rrisin objektivat e projektit. Në të ardhmen, mundësitë e bashkëpunimit do të jenë të hapura edhe për OSHC-të që nuk përfshihen në grupin e 51 OSHC-ve që iu përgjigjën Thirrjes sonë për Shprehje Interesi.

Fatmirësisht, ky është një projekt pesëvjeçar, pra do të kemi përsëri mundësi për të punuar së bashku, me qëllim që të fuqizojmë shoqërinë civile, ta bëjmë sistemin e drejtësisë më të përgjegjshëm para qytetarëve, dhe të gjejmë mënyra të reja për të luftuar korrupsionin. Me siguri që edhe publikimi i Raport-Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë e nxit edhe më tej punën tuaj.

Ky Forum mbetet metoda jonë parësore e ndërveprimit mes projektit dhe komunitetit të shoqërisë civile. Jam përpjekur të jem sa më i hapur në vlerësimin e aplikimeve që kemi marrë, dhe shpresoj të kemi diskutime të vazhdueshme së bashku përmes këtij Forumi.

Jay Carver
Drejtor i Projektit JuST
Attachments
Leter e Hapur per OSHC-te.doc
(34.5 KiB) Downloaded 124 times
JuST Moderator
 
Posts: 38
Joined: 14 Jun 2011 14:04

Return to Informacion mbi grantet/CSO grants information

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 0 guests

cron
suspicion-preferred